Dosja e tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, një projekt strategjik me vlerë rreth 422 milionë euro, është referuar në SPAK si një aferë e dyshuar korruptive dhe tenderi i majmë është anuluar ditën e sotme.
Sipas kallëzimit penal, procedura e prokurimit është zhvilluar në mënyrë të errët dhe në shkelje të rregullave të konkurrencës, duke favorizuar kompaninë greke Archirodon, kompania e vetme e kualifikuar për në fazën përfundimtare vonoi dorëzimin e dokumentave duke çuar kështu në anulilin e tenderit.
Skualifikimi i kompanive
Në garën ndërkombëtare morën pjesë disa nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit dhe inxhinierisë në botë. Megjithatë, sipas dokumenteve të depozituara në kallëzim, këto kompani u skualifikuan që në fazat e para të procesit, pa iu dhënë mundësia të paraqisnin ofertat e tyre financiare.
Në kallëzim pretendohet se mënyra se si u eliminuan rivalët ishte përmes interpretimit të rreptë dhe selektiv të rregullave të tenderit. Kompanitë konkurruese u përjashtuan për pasaktësi të vogla në dokumente dytësore ose për interpretime të diskutueshme të kritereve teknike, ndërsa kompania që konsiderohej e favorizuar trajtohej me tolerancë dhe fleksibilitet më të madh nga komisioni i vlerësimit.
Sipas padisë, në fund të procesit vetëm një kompani mbeti në garë, një filial me bazë në Qipro që përfaqëson në praktikë kompaninë greke Archirodon. Kjo kompani u ftua të paraqiste ofertën dhe të merrte kontratën.
Kompanitë gjigante që u përjashtuan
Sipas kallëzimit, komisioni i tenderit nuk dha shpjegime të qarta për skualifikimin e disa prej kompanive më të mëdha globale në sektorin e infrastrukturës detare.
Sipas dokumenteve të paraqitura në SPAK, këto kompani u skualifikuan në mënyrë të menjëhershme dhe pa një arsyetim të detajuar publik.
Dyshime për kualifikimin e Archirodon
Në kallëzim ngrihen pikëpyetje edhe për mënyrën se si kompania greke arriti të plotësonte kriteret e tenderit.
Kompania që mori pjesë në garë nuk rezulton të ketë realizuar projekte të ngjashme të kësaj përmase. Nëse përvojat profesionale janë marrë nga kompania mëmë greke, kjo do të ishte e lejueshme vetëm nëse ekziston një marrëveshje formale garancie , një dokument që, sipas kallëzimit, nuk rezulton të jetë paraqitur.
Kjo ngre një tjetër pyetje: nëse kompania mëmë kishte kapacitetet dhe përvojën, përse nuk mori pjesë drejtpërdrejt në tender, por u paraqit përmes filialit në Qipro?
Në procesin e negocimeve në Shqipëri, një nga figurat kyçe të kompanisë mëmë ishte Ioannis Bournazos, ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë greke Aktor, e cila më parë kishte fituar kontratën për autostradën Tiranë–Elbasan dhe më pas kishte fituar edhe një arbitrazh ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare për pagesa të diskutueshme.
Rregulla të ndryshuara gjatë tenderit
Një tjetër element që përmendet në kallëzim lidhet me garancinë bankare prej 8 milionë eurosh.
Në raundin e parë të tenderit, Archirodon nuk arriti ta paraqiste këtë garanci. Kur procedura u rihap më pas, kushti për garancinë bankare u hoq nga dokumentet, duke i hapur rrugë kompanisë të vazhdonte procesin.
Po ashtu, kompania nuk pranoi që pagesat të kryheshin në lekë dhe kërkoi që çdo konflikt të zgjidhej përmes arbitrazhit jashtë Shqipërisë, ndonëse dokumentet e tenderit parashikonin rregulla të ndryshme.
Indicie të tjera të dyshimta
Një detaj tjetër i përmendur në kallëzim është fakti se, sipas të dhënave operative nga pjesëmarrësit në tender, Archirodon nuk ka bërë asnjë pyetje apo kërkesë sqarimi për komisionin e tenderit gjatë gjithë procedurës, diçka e pazakontë për një projekt kaq kompleks teknikisht.
Kjo është interpretuar si një tregues se kompania mund të ketë pasur siguri paraprake për rezultatin e procesit.
Gjithashtu ngrihen dyshime për një partner shqiptar që dyshohet se ka asistuar kompaninë në përgatitjen e dokumentacionit dhe ofertës. Sipas burimeve të përmendura në kallëzim, kjo kompani është aktualisht nën hetim për kontrata të tjera të fituara në Ministrinë e Infrastrukturës, me një vlerë totale që arrin rreth 120 milionë euro, si dhe për transferta financiare jashtë vendit.