Banorët e zonës së Rrjollit protestuan sot para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar drejtësi për pronat që pretendojnë se u janë marrë padrejtësisht. Ata akuzojnë ish-drejtorin e Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, se ka përfituar tokën në mënyrë të paligjshme, ndërsa në atë zonë po ndërtohet një resort luksoz nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Gjatë protestës, banorët mbanin pankarta dhe dokumente që, sipas tyre, vërtetojnë pronësinë e tokës. Në shenjë revolte, ata hodhën edhe vezë në drejtim të godinës së SPAK, duke theksuar pakënaqësinë ndaj mungesës së reagimit të institucioneve për zgjidhjen e konfliktit.
Banorët thonë se prej më shumë se një muaji kërkojnë ndërhyrjen e drejtësisë, ndërsa në zonën e Rrjollit kanë ndodhur edhe përplasje mes tyre, punonjësve të kompanisë së ndërtimit, policisë dhe rojeve private të “Breçani Security”, të angazhuara për ruajtjen e kantierit. Përfaqësuesi i tyre, Prekë Molla, ka deklaruar se në SPAK është depozituar kallëzimi i tretë ndaj personave që ata i konsiderojnë përgjegjës për tjetërsimin e pronës.