Autobusi në Zvicër përfshihet nga flakët: 6 viktima dhe disa të plagosur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.03.2026, 10:00

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një autobus u përfshi nga flakët në qytetin Kerzers, në perëndim të Zvicrës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:25 me kohën lokale, të martën më 10 mars, në qendër të qytetit, rreth 20 kilometra nga kryeqyteti. Sipas policisë, të paktën tre persona u transportuan menjëherë në spital për trajtim, ndërsa raportohet se edhe një pjesëtar i ekipit të zjarrfikësve u plagos gjatë ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit.

Shkaku i flakëve ende nuk është konfirmuar dhe autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të incidentit, përfshirë edhe mundësinë që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm. Disa raportime paraprake sugjerojnë se një person mund t’i ketë vënë flakën vetes pasi dyshohet se ka derdhur benzinë mbi trup, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Autobusi po udhëtonte nga komuna Düdingen, rreth 17 kilometra në jug të Kerzers. Në një reagim në rrjetin social “X”, presidenti zviceran Guy Parmelin e cilësoi ngjarjen si “tronditëse dhe thellësisht pikëlluese”.

Një dëshmitar që ndodhej në autobus ka rrëfyer momentet dramatike të ngjarjes. I tronditur dhe me fytyrën e mbuluar nga tymi, ai tha se një burrë i kishte vënë flakën vetes brenda autobusit pasi kishte derdhur benzinë mbi trup.

Tre nga të plagosurit u dërguan në spital për trajtim të mëtejshëm, ndërsa dy persona të tjerë me lëndime më të lehta morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.

Ky incident rikthen në vëmendje edhe një tragjedi tjetër të ndodhur në Zvicër, ku 41 persona humbën jetën pas një zjarri vdekjeprurës që shpërtheu në një resort skish gjatë natës së Vitit të Ri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit