Në trafikun global të drogës po marrin rol gjithnjë e më të madh të ashtuquajturit “fixers”, ose ndërmjetës, të cilët lidhin rrjetet kriminale ndërkombëtare me grupet lokale. Ata organizojnë logjistikën, financat dhe korrupsionin e nevojshëm që kokaina të transportohet nga vendet prodhuese në Amerikën Latine drejt tregjeve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke marrë në disa raste deri në 30% të fitimeve nga ky biznes.
Sipas studiuesit ekuadoras Renato Rivera, këta ndërmjetës janë bërë pjesë kyçe e zinxhirit global të trafikut të drogës, sidomos pas fragmentimit të karteleve të mëdha në vitet 1980–1990. Ata vendosin kontakte mes furnizuesve, blerësve dhe grupeve që merren me transportin, ndërsa shpesh luajnë rol edhe në korrupsionin e zyrtarëve publikë, kalimin e drogës nëpër porte dhe pastrimin e parave.
Në Ekuador, hetimet kanë zbuluar edhe bashkëpunimin mes bandës “Los Lobos” dhe rrjeteve kriminale shqiptare. Një rast i fundit është ai i Hernán Ruilova, i arrestuar në mars 2026 gjatë “Operacionit Costa”, i cili dyshohet se vepronte si ndërmjetës mes bandës lokale dhe trafikantëve shqiptarë, duke koordinuar transportin e kokainës të fshehur në dërgesa bananesh drejt Evropës.