Çmimet e biletave të avionëve pritet të rriten në muajt e ardhshëm, si pasojë e një tronditjeje të madhe në tregun global të energjisë, e lidhur me vështirësitë në furnizimin me naftë dhe gaz përmes Ngushticës së Hormuzit.
Paralajmërimi u bë gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Thesarit në Parlamentin britanik, ku ekspertja e tregjeve të energjisë, Amrita Sen – themeluese dhe drejtoreshë e analizave në kompaninë Energy Aspects – e përshkroi situatën aktuale si një nga ndërprerjet më të mëdha në historinë e tregut të energjisë.
Sipas saj, ndonëse rritja e çmimeve nuk ka arritur ende nivelin e krizës së shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, sektori që po goditet më fort aktualisht është ai i karburantit për avionë.
“Është vërtet e pazakontë ajo që po ndodh në tregun e karburantit për avionë,” tha Sen, duke theksuar se një pjesë e madhe e prodhimit të këtij karburanti realizohet në Lindjen e Mesme dhe në Azi. Për momentin, sipas saj, është shumë e vështirë të gjenden burime alternative për të përballuar kërkesën globale.
Rreziku për transportin detar në Ngushticën e Hormuzit ka penguar kalimin normal të naftës bruto, duke ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e karburantit të aviacionit.
Si rrjedhojë, ekspertët paralajmërojnë se çmimet e biletave të avionëve mund të shtrenjtohen ndjeshëm, ndërsa kjo situatë pritet të zgjasë të paktën për disa muaj.