Del pas 3 orësh në SPAK koncesionari i Hemodializës Klodian Allajbeu

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 10.03.2026, 21:39

Biznesmeni Klodian Allajbeu ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth tre orësh qëndrimi në SPAK, ku u paraqit mesditën e kësaj të marte në përgjigje të një fletëthirrjeje.

Allajbeu u shoqërua nga avokati i tij teksa doli nga godina e prokurorisë, ndërsa jashtë e prisnin gazetarët për një reagim mbi arsyen e paraqitjes së tij. Megjithatë, biznesmeni nuk bëri asnjë deklaratë për mediat dhe u largua menjëherë nga ambientet e SPAK.

Burime mediatike bëjnë me dije se paraqitja e tij lidhet me hetimet që po zhvillon SPAK për koncesionin e laboratorëve në shëndetësi, një çështje që prej kohësh është nën verifikim nga organet e drejtësisë. Thirrja e Allajbeut është bërë në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Hetimet kanë përfshirë edhe kontrolle në kompani të lidhura me biznesmenin, mes tyre shoqëria “Evita” sh.p.k., si dhe verifikime në struktura të lidhura me Spitalin Amerikan, institucion që lidhet me aktivitetin e tij në sektorin e shëndetësisë.

Kjo nuk është hera e parë që Allajbeu paraqitet në SPAK, pasi prokuroria ka nisur prej kohësh një seri verifikimesh mbi procedurat e koncesioneve dhe tenderave në sektorin e shëndetësisë, ku dyshohet për shkelje dhe favorizime në procedurat e prokurimit publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit