Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës i sektorit të energjisë, i cili pretendon se premtimi për rritjen e pagave për stafin e OSHEE dhe OSSH nuk është zbatuar për shumicën e punonjësve.
Punonjësi, i cili thotë se punon në një nënstacion në qarkun e Tiranës, shprehet se kryeministri dhe drejtues të sektorit të energjisë kishin premtuar rritje page për stafin, por sipas tij kjo nuk është reflektuar për të gjithë.
“Na u premtua rritje prej 75 mijë lekësh të vjetra në muaj për punonjësit e OSHEE dhe OSSH, por kjo nuk u realizua për të gjithë. Vetëm rreth 20% e punonjësve e kanë përfituar këtë rritje, ndërsa pjesa tjetër jo, edhe pse bëjmë të njëjtën punë”, shprehet ai në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Punonjësi shton se paga aktuale e tij është rreth 690 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa sipas premtimit ajo duhej të shkonte në rreth 765 mijë lekë të vjetra pas rritjes.
“Premtuan 75 mijë lekë rritje, por për shumicën nuk është bërë. Nuk e kuptojmë çfarë po ndodh me këtë shtet”, shprehet ai më tej në denoncimin e tij.
Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se për punonjësit e OSHEE do të kishte rritje pagash, duke përmendur një indeksim të përgjithshëm dhe rritje të veçantë për disa kategori punonjësish, përfshirë elektricistët dhe inxhinierët.
Megjithatë, sipas punonjësit që iu drejtua redaksisë sonë, kjo rritje nuk është zbatuar për të gjithë stafin, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është shpërndarë kjo rritje brenda strukturave të kompanisë.