“Më ndihmoni të kthehem sërish në shkollë dhe të jetoj jetën time si më parë!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.03.2026, 18:48

KLIKO KËTU PËR TË DHURUAR

Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga nëna e një vajze vetëm 14-vjeçe, e cila prej muajsh po përballet me një betejë të vështirë për jetën.

Kristalina ndodhet aktualisht e shtruar në QSUT, pasi ka pësuar një hemorragji shumë të rëndë në tru dhe i është nënshtruar një operacioni të vështirë. Që prej asaj dite, vajza e mitur ka kaluar muaj të tërë në spital, duke përballuar dhimbje të forta, temperatura, infeksione dhe procedura të shumta mjekësore.

Sipas familjarëve, mjekët kanë sugjeruar që trajtimi i saj të vijojë në një spital të specializuar në Turqi, pasi aty mund të marrë kujdesin e nevojshëm për shërimin e saj. Por kostoja e këtij trajtimi është shumë e lartë dhe e papërballueshme për familjen.

Nëna e Kristalinës i është drejtuar shqiptarëve me një apel prekës për ndihmë, duke kërkuar solidaritet për vajzën e saj që po lufton çdo ditë për jetën.

“Kristalina prej disa muajsh është e shtruar në spital dhe fatkeqësisht ka nevojë për një mjekim më të specializuar jashtë vendit. Kostoja është shumë e lartë dhe për ne si familje është e pamundur ta përballojmë. Ju lutem nga zemra që të gjithë së bashku të bëjmë diçka për Kristalinën. Edhe nëse nuk keni mundësi të kontribuoni, ju lutem shpërndajeni sa më shumë”, shprehet nëna e saj.

Edhe vetë 14-vjeçarja ka përcjellë një mesazh prekës në faqen e hapur për mbledhjen e fondeve, ku tregon se ëndrra e saj është të rikthehet në jetën normale dhe në shkollë si bashkëmoshataret e saj.

“Kam ëndrra si çdo vajzë e moshës sime. Dua të kthehem në shkollë, të qesh përsëri me shoqet e mia dhe të jetoj jetën time si më parë. Nuk dua që ëndrrat e mia të ndërpriten këtu”, shprehet Kristalina.

Familjarët kanë hapur një faqe në GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme për trajtimin e saj jashtë vendit dhe bëjnë thirrje për ndihmë nga të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë.

Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëhet një shpresë më shumë për 14-vjeçaren që të vazhdojë betejën e saj për jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit