Komisioni i Ankimimit zbut masat për disa drejtues policie, rikthehen në detyrë ish-zyrtarë të Lezhës
Komisioni i Ankimimit në Policia e Shtetit ka ndryshuar disa nga masat disiplinore të vendosura ndaj ish-drejtuesve të policisë në Lezhë, masa që ishin kërkuar më herët nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, i cili ndërkohë është shkarkuar nga detyra.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë u shqyrtuan rreth 25 ankesa nga punonjës të policisë. Si rezultat, ish-zv/drejtori për Rendin, Taulant Gjoka, dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni, janë rikthyer në detyrë, pasi vendimet fillestare për përjashtimin e tyre nga policia u rrëzuan. Të dy ishin pezulluar në kuadër të hetimeve për organizim të lojërave të fatit dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, u vendos vetëm shtyrje e gradimit për tre muaj, duke rrëzuar vendimin fillestar për ulje në gradë për pesë vite.
Ndryshim mase pati edhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Fierit, Oliger Torba, për të cilin komisioni rrëzoi uljen në gradë dhe la në fuqi vetëm një vërejtje disiplinore.