Taulant Seferi ishte ndër protagonistët kryesorë të Bodrumspor edhe pse skuadra e tij humbi 3-4 ndaj Erokspor, në një ndeshje të vlefshme për javën e 29-të të kampionatit turk. Sulmuesi shqiptar tregoi formë të lartë, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan për të marrë pikë nga kjo sfidë.
Pavarësisht humbjes, performanca e Seferit nuk kaloi pa u vlerësuar. Ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës në Turqi nga Sofascore, ku mori notën 8.6 për lojën e tij.
Kjo paraqitje pozitive e shqiptarit është një sinjal optimist për trajnerin Sylvinho, i cili do të ketë një “dhimbje koke” pozitive në lidhje me formën e sulmuesit pak javë para sfidës së “Play-Off” që Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Polonisë në transfertë.
Seferi po dëshmon një konsistencë të lartë në Turqi, duke treguar se mund të jetë një nga pikat kyçe të Kombëtares në sfidat vendimtare që priten në pranverë.