Hakerët e grupit Homeland Justice kanë sulmuar korrespondencën elektronike të Kuvendi i Shqipërisë, duke bllokuar aksesin e administratës dhe deputetëve në kompjuterë dhe email-et zyrtare që prej mëngjesit të sotëm. Sipas raportimeve, një pjesë e email-eve dhe komunikimeve të brendshme janë publikuar në kanalin e grupit në Telegram.
“Kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera”, shkruhet në postimin e Homeland Justice në Telegram.
Në një mesazh të publikuar nga hakerët thuhet se ata kanë në dorë bisedat dhe korrespondencën e muajve të fundit të anëtarëve të Kuvendit, duke pretenduar se janë “më afër sesa mendohet” dhe duke lëshuar akuza të rënda politike. Ndërkohë, disa punonjës të administratës kanë marrë edhe një email provokues nga një adresë e dyshuar si e rreme, që ironizon sigurinë kibernetike të institucionit.
Pas incidentit është mbledhur urgjentisht Komiteti i Sigurisë Kibernetike për të vlerësuar situatën dhe për të marrë masa për rikthimin e sistemeve dhe hetimin e sulmit.

