Dështimet e njëpasnjëshme të strukturave të sigurisë për të vënë në pranga eksponentë të rrezikshëm të botës së krimit po kthehen gjithnjë e më shumë në një panoramë të zakonshme në vend. Kjo situatë ka shtuar ndjeshëm pasigurinë tek qytetarët dhe ka gërryer besimin ndaj institucioneve që duhet të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, në radhë të parë Policia e Shtetit.
Rasti më i fundit u regjistrua të shtunën në Vlorë, ku me urdhër të SPAK dhe me përfshirjen e forcave speciale RENEA, qyteti u “blindua” në një operacion për kapjen e një prej emrave më të rrezikshëm të krimit në zonë, Inez Hajrulla. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Hajrulla dyshohet se ka porositur dy ekzekutime të bujshme të ndodhura në mes të ditës në vitin 2021, atë të Gentian Qarrri dhe Bledar Birçaj. Po sipas hetimeve, grupi i tij kriminal dyshohet se ka trafikuar mbi dy ton kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.
Megjithëse operacioni u shoqërua me kontrolle të shumta dhe monitorim nga ajri me dronë, objektivi kryesor nuk u kap. Fakti që një person i shpallur në kërkim mund të shmangë një operacion të tillë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e strukturave të rendit.
Vetëm dy ditë më vonë u regjistrua një tjetër episod që përforcoi këtë perceptim. Në lagjen Kiras, një patrullë policie tentoi të ndalonte një automjet ku udhëtonte Barush Bregu, i konsideruar si krahu i djathtë i një prej emrave më të kërkuar të botës së krimit, Ibrahim Lici. Sipas raportimeve, drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim dhe u largua me shpejtësi.
Pas një ndjekjeje të shkurtër, Bregu arriti të braktisë automjetin dhe të largohet, duke qëlluar edhe në ajër me armë zjarri për të kanosur efektivët. Edhe në këtë rast, personi i kërkuar arriti t’i shpëtojë policisë. Barush Bregu është i akuzuar për masakrën e Shkodrës në qendër të qytetit pranë Bashkisë ku u mbetën dy të vrarë e dy të plagosur.
Dy episode brenda pak ditësh kanë rikthyer vëmendjen mbi aftësinë reale të strukturave të sigurisë për të përballur krimin e organizuar. Në një kohë kur emra të rrezikshëm të botës kriminale duket se lëvizin ende me lehtësi, policia e shtetit përqendrohet te shkelje shumë më të vogla, si përshembull ndalimi i drejtuesëve të mejteve elektrike.