Policia është tërhequr në orët e mbrëmjes nga zona e Kirasit në Shkodër, pasi nuk arriti të lokalizojë dhe arrestojë personin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri në ajër në prani të forcave policore.
Sipas burimeve policore, personi në kërkim është Bajram Bregu, i cili dyshohet se gjatë ndjekjes nga policia ka qëlluar një herë në ajër dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10 në lagjen “Guerrile”, ku shërbimet e policisë gjatë patrullimit i bënë shenjë ndalimi një automjeti me dy persona për kontroll rutinë. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, por shtoi shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët ta ndjekin.
Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri i automjetit, Bajram Bregu, qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga zona.
Policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik për shkak të hetimeve. Ndërkohë, dhjetëra forca policie rrethuan zonën e Kirasit dhe zhvilluan kontrolle për disa orë me masa të shtuara sigurie.
Megjithatë, pas disa orësh operacion, autoritetet nuk arritën të kapin personin e dyshuar dhe u tërhoqën nga zona.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se në momentin e të shtënave efektivët kërkuan përforcime, pasi bëhej fjalë për një person të dyshuar me rrezikshmëri të lartë. Deri në mbërritjen e forcave shtesë, Bregu dyshohet se kishte mundur të largohej.
Policia dyshon se ai mund të ketë përfituar nga komunikimi i brendshëm mes oborreve dhe bahçeve të banesave në zonën e Kirasit, të cilat në disa raste lidhen me dyer të brendshme, duke i mundësuar arratisjen.
Gjatë operacionit u përdorën forca të shumta policie dhe një dron për kontroll nga ajri, por pa arritur të lokalizohet personi në kërkim. Edhe në banesën ku dyshohej se mund të ishte fshehur, kontrollet nuk dhanë rezultat.