SPAK në raportin për vitin 2025 ka ngritur alarmin për mënyrën se si korrupsioni vazhdon të jetë i rrënjosur në institucionet publike, duke përfshirë një gamë të gjerë funksionesh administrative dhe shtetërore. Dokumenti i dorëzuar në Kuvend thekson se fenomeni nuk është sporadik, por i organizuar dhe i strukturuar me kujdes brenda institucioneve.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 hetimet e SPAK kanë evidentuar se korrupsioni në sektorin publik funksionon përmes mekanizmave të mirëorganizuar, ndërsa procedurat e prokurimit publik përdoren shpesh si instrument për shpërdorimin e fondeve shtetërore.
Bashkë me çështjet e mbartura nga vitet e mëparshme, SPAK ka hetuar gjithsej 30 zyrtarë, mes tyre edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, deputetë dhe ish-deputetë, si dhe drejtues institucionesh.
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2025 tregojnë se korrupsioni në institucionet shtetërore mbetet një problem serioz, duke përfshirë jo vetëm funksionarë vendorë dhe administrativë, por edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të rendit, si prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës policie.
Në raportin vjetor të paraqitur në Parlament, SPAK nënvizon se në institucionet publike korrupsioni “është i strukturuar dhe i planifikuar mirë duke përfshirë funksione të ndryshme administrative”.
Organet e akuzës veçojnë sidomos proceset e legalizimeve të pronave dhe procedurat e prokurimeve publike si fusha me risk të lartë. Sipas hetimeve, në këto procese zyrtarët përfitonin para duke favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë në tendera, shpesh në bashkëpunim me kompani private, duke manipuluar dokumentacionin dhe fondet limite për të rritur përfitimet.
Prokurimet publike, që në vitet e fundit kanë çuar në arrestimin e zyrtarëve të niveleve të ndryshme, rezultojnë ndër sektorët më problematikë. SPAK thekson se në shumë raste të hetuara procesi i tenderimit manipulohej nga fillimi deri në përfundim të kontratës, duke përfshirë edhe projekte të financuara nga donatorë ndërkombëtarë.
“Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar, ndërsa ofertat e konkurrentëve keq vlerësoheshin ose eliminoheshin/skualifikoheshin qëllimisht. Kontrolli formal shpesh nuk ishte kryer nga personat kompetentë, duke lejuar një përputhje të planifikuar mes operatorit të preferuar dhe procedurës, ndërsa shpërndarja e fondeve është bërë për shërbime të sajuara ose të zmadhuara artificialisht, duke përfshirë edhe projekte me donatorë ndërkombëtarë”, shpjegon raporti i SPAK-ut.
Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme, duke cenuar barazinë dhe transparencën”.
Sipas SPAK, një element kyç në këto skema është përdorimi i kompanive private për të fshehur përfitimet dhe për të realizuar më pas pastrimin e parave. Hetimet tregojnë se shpesh krijoheshin ose përdoroheshin shoqëri me pronësi nominale, ku emrat e regjistruar në dokumente nuk ishin përfituesit realë dhe nuk ushtronin kontroll të vërtetë mbi aktivitetin.
Ortakët në dokumente nuk ishin përfituesit realë dhe nuk ushtrojnë kontroll efektiv, ndërsa vendimmarrja mbi tenderat dhe kontratat publike mbetej nën ndikimin e personave të fshehur. Pronësia e kompanive ndryshonte formalisht përmes shitjeve simbolike të kuotave dhe ristrukturimeve të shpeshta, ndërkohë që administratori real mbetej i njëjtë, duke maskuar lidhjet me përfituesit e vërtetë dhe duke shmangur konfliktin e interesit.
Fonde të fituara nga kontratat publike shpërndaheshin më pas tek ortakët nominalë përmes dividendëve, ndërmjetësve financiarë dhe investimeve të strukturuara, duke krijuar një rrjet të ndërlikuar për riciklimin e parave dhe duke e kthyer shoqërinë tregtare nga një operator ekonomik në një instrument mbulues për përfitime të paligjshme.
Statistikat e SPAK tregojnë se nga viti 2020 deri në fund të vitit të kaluar janë ngritur akuza penale ndaj 81 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar procedime penale për 19 zyrtarë të lartë. Duke përfshirë edhe çështjet e mbartura nga vitet e mëparshme, SPAK thotë se gjatë vitit të kaluar janë hetuar 30 zyrtarë të niveleve të ndryshme, nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtues të lartë të institucioneve, deri te deputetë, ish-deputetë, kryetarë dhe ish-kryetarë bashkish, si dhe drejtues agjencish shtetërore.