Pasiguria në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë nisur të japin efektet e para edhe në ekonominë shqiptare. Fillimisht goditja u ndje te karburantet, por vala e shtrenjtimit po përhapet me shpejtësi edhe në sektorin e ndërtimit, duke rritur kostot për kantierët.
Përfaqësuesit e shoqates së ndërtuesve të Shqipërisë, paralajmërojnë se disa nga materialet kryesore të ndërtimit kanë nisur të shtrenjtohen dhe tendenca pritet të vijojë. Sipas tyre, brenda dy javësh çmimi i naftës është rritur me rreth 15–20%, ndërsa duraluminet dhe materialet plastike kanë pësuar rritje nga 5 deri në 8%. Një tjetër element kyç për sektorin, hekuri, po shënon rritje të vazhdueshme me rreth 5% në javë.
“Nëse kjo tendencë vazhdon, është e mundur që çmimi i hekurit të arrijë deri në 40% më shumë se niveli aktual. Në vijim pritet të ndikohen edhe çimentoja, betoni dhe kostot e fuqisë punëtore”.
Rritja e kostove të materialeve pritet të reflektohet drejtpërdrejt edhe në tregun imobiliar. Sipas përfaqësuesve të sektorit, materialet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kostos së ndërtimit për metër katror, ndaj çdo shtrenjtim i tyre shton presionin për rritje çmimesh në apartamente.
Ndërtuesit paralajmërojnë se, edhe pse çmimi final përcaktohet nga raporti kërkesë–ofertë, rritja e kostove e bën pothuajse të pashmangshme një shtrenjtim të mëtejshëm të pronave në treg.
Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse tregu imobiliar do të arrijë të gjejë një ekuilibër të ri, apo nëse çmimet e apartamenteve do të vijojnë të rriten në muajt në vijim.