Çmimi i naftës në tregun e pakicës në Shqipëri ka pësuar rritje të vazhdueshme që nga data 4 mars, si pasojë e ndryshimeve të shpejta në bursat ndërkombëtare pas sulmeve në Lindjen e Mesme. Në disa pika karburanti në Tiranë, çmimi ka arritur deri në 189 lekë për litër, rreth 14 lekë më shumë krahasuar me nivelin para nisjes së tensioneve.
Sipas një vëzhgimi në treg, disa pika shitjeje e kanë rritur sërish çmimin me 7 lekë për litër, duke kaluar nga 182 lekë më 6 mars në 189 lekë. Rritje është vërejtur edhe për benzinën në disa pika, ndërsa në stacione të tjera çmimet kanë mbetur të pandryshuara rreth 182 lekë për litër.
Rritja në tregun vendas lidhet me shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ku çmimi ka arritur deri në 103 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë që ishte para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim ka reflektuar menjëherë në çmimet e karburanteve në tregun shqiptar.