Putin: Jemi gati të furnizojmë sërish Europën me naftë dhe gaz, por me një kusht

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.03.2026, 00:51

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e gatshme të rifillojë furnizimin me naftë dhe gaz për vendet europiane, nëse ato tregojnë interes për një bashkëpunim afatgjatë dhe pa presione politike ndaj Moskës.

Gjatë një takimi të transmetuar në televizion, Putin theksoi se Rusia nuk ka refuzuar kurrë bashkëpunimin me blerësit europianë, por sipas tij ky bashkëpunim duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i bazuar në interesa ekonomike, jo politike.

“Nëse kompanitë dhe blerësit europianë vendosin të rikthehen drejt një bashkëpunimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm me Rusinë, pa presion politik, ne jemi gati. Nuk kemi refuzuar kurrë”, u shpreh ai.

Putin shtoi se aktualisht Rusia po vazhdon furnizimet me energji për partnerët “e besueshëm” në Azi, si dhe për disa vende europiane si Hungaria dhe Sllovakia.

Deklarata e tij vjen në një moment kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm, duke kaluar mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Bashkimi Europian vendosi ndalimin e importeve detare të naftës ruse, ndërsa furnizimet përmes disa tubacioneve janë ndërprerë.

Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të rishqyrtojë sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus, duke argumentuar se kriza aktuale në Lindjen e Mesme po shtyn çmimet e energjisë drejt niveleve gjithnjë e më të larta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit