I vjedhin telefonin nga xhepi në mes të ditës, filmohet skema e dy grabitësve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.03.2026, 22:43

Një rast vjedhjeje është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila ka dërguar pamjet e momentit kur i vidhet telefoni celular teksa ishte duke ecur në rrugë, në zonën e “Brrylit” në Tiranë, pranë kryqëzimit të Oslos.

Siç shihet edhe në video, dy persona duket se veprojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke përdorur një skemë të njohur vjedhjeje me shpërqendrim. Njëri prej tyre, i veshur me xhup të verdhë, i afrohet qytetares nga pas dhe me një lëvizje të shpejtë i merr telefonin nga xhepi.

Në të njëjtën kohë, personi tjetër i afrohet nga ana tjetër duke bërë sikur po e parakalon, duke krijuar konfuzion dhe duke mbuluar veprimin e bashkëpunëtorit të tij. Pas vjedhjes, të dy largohen në drejtime të ndryshme sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Qytetarja që ka dërguar pamjet bën me dije se rasti është denoncuar në polici dhe shpreson që publikimi i videos të ndihmojë në identifikimin e autorëve.

“Përshëndetje, më kanë vjedhur telefonin sot te kryqëzimi i Oslos te Brryli. E kemi denoncuar në polici, por doja ndihmën tuaj nëse i njeh njeri këta persona”, shkruan ajo për redaksinë tonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit