Gjiganti gjerman i automobilave Volkswagen ka zhvilluar në fshehtësi dy prototipe automjetesh ushtarake në vetëm katër muaj, të cilat u prezantuan muajin e kaluar në panairin e sigurisë dhe mbrojtjes Enforce Tac në Nuremberg.
Sipas kompanisë, qëllimi i këtij projekti ishte vetëm testimi i interesit të tregut dhe mundësive të ardhshme në sektorin e mbrojtjes. Megjithatë, Volkswagen thekson se nuk ka në plan të prodhojë armë, por vetëm mjete transporti që mund të përdoren nga ushtria.
Dy prototipet e prezantuara, të quajtura MV-1 dhe MV-2, janë përshtatur për përdorim ushtarak. MV-1 bazohet në platformën e pick-up-it Amarok dhe është projektuar për transportin e mjeteve të vogla si ATV-të, ndërsa MV-2 është ndërtuar mbi furgonin Crafter dhe mund të përdoret si qendër komanduese, ambulancë ose për misione logjistike.
Interesant është fakti se automjetet u shfaqën pa logon e Volkswagen. Në vend të saj, në karroceri ishte vendosur emri i kompanisë së mbrojtjes Diederich Engineering Systems Defense (DESD), e cila merret me prodhimin e automjeteve të specializuara. Sipas mediave gjermane, prototipet janë zhvilluar nga Volkswagen, por projekti është mbajtur larg vëmendjes publike.
Kompania po shqyrton mundësi të reja për fabrikën e saj në Osnabrück, ku punojnë rreth 2300 persona. Prodhimi i disa modeleve do të përfundojë në vitet e ardhshme dhe drejtuesit po kërkojnë mënyra për ta mbajtur uzinën aktive.
Megjithatë, Volkswagen thekson se për momentin nuk ka asnjë vendim për prodhim në masë. Prototipet janë thjesht një test për të parë nëse industria e mbrojtjes mund të jetë një drejtim i mundshëm në të ardhmen.