Barush Bregu, krahu i djathtë i Licëve i ikën policisë, qëlloi me armë gjatë ndjekjes

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.03.2026, 17:01

Barush Bregu, i njohur edhe me emrin Bajram Bregu, është shpallur në kërkim nga policia pas një incidenti me armë zjarri të raportuar mesditën e sotme në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras, ku një patrullë policie i ka bërë thirrje një automjeti të ndalonte. Sipas informacioneve, në momentin që policia është vënë në ndjekje të mjetit, pasagjeri i tij, Barush Bregu, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas ka arritur të largohet.

Bregu njihet nga autoritetet si një person me precedentë penalë dhe konsiderohet krahu i djathtë i familjes Lici. Ai rezulton i shpallur në kërkim edhe për përfshirje të dyshuar në një atentat të ndodhur më parë në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso alias Brajoviç dhe kamarieria Meri Kaceri. Sipas hetimeve, Bregu dyshohet se ka siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e përdorura në atë ngjarje.

Emri i Barush Bregut nuk është i panjohur për policinë. Në vitin 2016 ai u dënua me katër vite burg për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Dy vite më vonë, gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia gjeti një automatik kallashnikov. Në maj të vitit 2019 ai u arrestua sërish pasi ishte shpallur në kërkim për disa akuza të rënda.

I konsideruar si një nga personat e fortë të Shkodrës, Bregu dyshohet të ketë qenë një bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Licit, i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars. Familja Lici prej kohësh përflitet për përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri.

Sipas dyshimeve të policisë, Barush Bregu mund të ketë ndihmuar Ibrahim Licin jo vetëm në vrasjen e vëllezërve Bilali, por edhe në ngjarje të tjera kriminale, duke qenë një person i përfshirë në lëvizjet dhe aktivitetet e tij.

Edhe më herët, gjatë një ndjekjeje nga policia e Shkodrës, Bregu kishte arritur të shpëtonte duke përplasur me automjetin e tij dy patrulla policie. Emri i tij u përmend gjithashtu edhe në atentatin ndaj Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua me breshëri arme ndërsa ndodhej në një lokal në zonën e Zdrales.

Ngjarja lidhet edhe me një konflikt të vjetër. Në vitin 2010, Elis Rroshkodoli kishte plagosur me armë zjarri Hysni Bregun, babain e Barush Bregut, një episod që sipas burimeve konsiderohet si një nga fillesat e përplasjes mes palëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit