KUSH KA MUNDËSI TË KONTRIBUOJË NË LINKUN E GO FUND ME
Jeta e Anisës ndryshoi rrënjësisht në vitin 2017, kur mjekët i zbuluan një tumor në tru në anën e djathtë (acoustic neuroma). Po atë vit ajo iu nënshtrua operacionit të parë për heqjen e tumorit, por ndërhyrja solli edhe pasoja të rënda: gjatë operacionit u dëmtua nervi facial, duke i shkaktuar paralizë në anën e djathtë të fytyrës.
Pas kësaj, Anisa u detyrua të bëjë një operacion të dytë për lidhjen e nervit facial me një nerv tjetër. Muaj të tërë fizioterapie dhe përpjekjesh të mëdha i rikthyen rreth 80% të funksionit të fytyrës, një arritje e madhe pas një periudhe shumë të vështirë.
Por beteja nuk përfundoi aty. Në vitin 2021 mjekët zbuluan se tumori ishte rritur përsëri dhe ajo u detyrua të përballej me një tjetër operacion në tru. Ishte një kohë e rëndë për Anisën dhe familjen e saj, por ata vazhduan të luftojnë me shpresë.
Fatkeqësisht, tumori ka nisur të rritet sërish. Rezonanca e vitit 2025 tregoi një masë 14×12×10 mm, ndërsa në janar 2026 ajo është rritur në 19×18×15 mm. Sot, Anisa ka humbur plotësisht dëgjimin në veshin e djathtë dhe rritja e tumorit vazhdon të jetë një kërcënim serioz për shëndetin e saj.
Mjekët i kanë rekomanduar trajtim urgjent me radiokirurgji të avancuar për të ndaluar rritjen e tumorit. Ky trajtim mund të shmangë një operacion të katërt në tru, i cili për shkak të ndërhyrjeve të mëparshme mbart rrezik shumë të madh për komplikacione serioze, si hemorragji në tru, dëmtime neurologjike apo edhe paralizë të përhershme.
Por ky trajtim kushton rreth 30,000 euro, një shumë që familja e saj nuk mund ta përballojë e vetme pas viteve të gjata me operacione dhe shpenzime mjekësore.
Sot Anisa ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëhet një hap drejt trajtimit që i duhet për të ndaluar rritjen e tumorit dhe për t’i dhënë asaj një shans për një jetë normale.