Kuvendi rrëzoi kërkesën e Strukturës sëePosaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Shumica parlamentare e Partisë Socialiste votoi kundër kërkesës, duke argumentuar se nga analiza e materialeve të paraqitura nuk rezulton se Balluku ka kryer veprime korruptive apo shkelje që justifikojnë një masë arresti.
Sipas raportit të plotë të hartuar nga deputetët e PS në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, provat e paraqitura nga SPAK nuk provojnë përfshirje të drejtpërdrejtë të ministres në veprime të paligjshme. Në dokument thuhet se procedurat e ndjekura nga institucionet në projektet që po hetohen janë kryer në përputhje me kuadrin ligjor dhe se përgjegjësitë administrative nuk mund të përkthehen automatikisht në përgjegjësi penale për Ballukun.
Raporti thekson gjithashtu se hetimet duhet të vazhdojnë pa pengesa, por pa masa ekstreme që, sipas shumicës, nuk justifikohen nga provat aktuale. Nga ana tjetër, SPAK ka argumentuar se kërkesa për arrestim ishte e nevojshme për të siguruar hetimin, ndërsa opozita ka akuzuar mazhorancën për mbrojtje politike ndaj ministres.