Pas qëndrimit të grupit të Partisë Socialiste në mbledhjen e sotme lidhur me imunitetin e Ballukut, ku u pa qartë që në 12 mars PS do të votojë kundër kërkesës së SPAK që t'i hap rrugë arrestimit të Ballukut, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, tha se tani i përket sovranit të thotë fjalën e tij.
Më 12 Mars, do të zhvillohet dhe protesta e radhës e opozitës që sipas kryedemokratit do të ndërhyjë me të gjitha mjetet kushtetuese demokratike për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit nga pushteti gjyqësor në Shqipëri. Berisha nuk tregoi mbi skenarin, por në prononcime të tjera mediatike ka prekur ngujimin.
Berisha gjatë kësaj jave, nga selia blu, ka paralajmëruar se deputetët e opozitës janë gati për veprime ekstreme, si greva e urisë, nëse Parlamenti nuk pranon heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Balluku. Por ironikisht, Berisha nuk është ai që tregon vendosmërinë për të “ngujuar” vetë në Kuvend, duke lënë gjithë barrën dhe aktin dramatik tek populli, sikur aksionet e partisë të jenë protesta qytetare spontane.
Deklaratat e tij e paraqesin dramën si përgjegjësi e popullit, ndërsa lideri i opozitës qëndron i distancuar. Sipas tij, çdo hap ekstrem duhet të merret “në momentin e duhur”, por kush është ai që do ta përcaktojë këtë moment? Praktikisht, aksioni shndërrohet në një lojë propagande ku logoja e partisë duket si e vetmja që ka rëndësi, ndërsa qytetarët shfrytëzohen si aktorë të dramës.
Në prag të seancës së Kuvendit më 12 mars për votimin e heqjes së imunitetit të Ballukut, kjo strategji lë të kuptohet se opozita do të përdorë popullin për të bërë dramën dhe presionin publik, ndërsa Berisha vetë shmang përfshirjen direkte.
Kjo nxjerr në pah kontradiktën folës i madh për vendosmëri dhe aksione dramatike, por vetë nuk është i gatshëm të veprojë personalisht, duke shndërruar aksionet opozitare në spektakël partiak dhe jo protestë qytetare.