Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Belinda Balluku do të vazhdojë të mbajë rolin e drejtuese politike të qarkut të Fierit. Deklarata erdhi pasi socialistët shprehën publikisht qëndrimin e tyre kundër arrestimit të deputetes.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se ndaj Ballukut nuk është ngritur asnjë akuzë për korrupsion apo përvetësim fondesh, por vetëm dyshime për shkelje të barazisë në tendera publikë. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që lidhet me një periudhë rreth gjashtë vite më parë.
Kreu i qeverisë sqaroi se dyshimi është ngritur mbi bazën e disa mesazheve të gjetura vite më vonë në telefonin e një ish-zyrtari, duke iu referuar ish-vartësit të Ballukut, Evis Berberi.
“Ndaj saj është ngritur një akuzë jo për vjedhje dhe jo për korrupsion, as e lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë për një vepër të rëndë penale. Bëhet fjalë vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më pas në telefonin e një ish-drejtori”, u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu vendimin për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke e cilësuar atë si një masë të pajustifikuar.
Sipas tij, pezullimi nuk ka prekur vetëm personin, por vetë funksionin, gjë që Rama e konsideroi një vendim të pazakontë dhe të paprecedentë.
Ndërkohë, ai shtoi se çështja është duke u trajtuar në Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të procedurës kushtetuese që i jep parlamentit të drejtën të autorizojë ose jo arrestimin e një deputeti.