Një dibran ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania pamje nga ambientet e Spitalit Rajonal të Peshkopisë, duke denoncuar gjendjen jo të mirë të disa dhomave brenda institucionit shëndetësor. Në pamje shihen mure të dëmtuara, lagështirë dhe instalime elektrike të amortizuara, ndërsa disa nga ambientet duken të papërshtatshme për trajtimin e pacientëve.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, disa nga repartet kanë probleme me mirëmbajtjen, ku në mure dallohen njolla lagështie dhe dëmtime pranë pajisjeve mjekësore. Po ashtu, edhe dyshemeja dhe mobilimi në disa dhoma duken të vjetruara, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ofrohet shërbimi. Spitali duket si një dhomë ku luhen filma horror.
Spitali Rajonal i Peshkopisë është një nga institucionet kryesore shëndetësore që u shërben banorëve të zonës së Dibër. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje dhe investime nga bashkia Dibër me kryetar Rahim Spahiun dhe Ministrinë e Shëndetësisë me drejtuese Evis Sala. Dibranët kërkojnë përmirësimin e kushteve në spital, në mënyrë që pacientët të marrin shërbim në ambiente më të sigurta dhe më dinjitoze.