Banorët e qyteteve kryesore të vendit, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës, kalojnë çdo ditë shumë kohë në trafik, duke konsumuar jo vetëm orë të tëra të ditës, por edhe më shumë karburant.
Një sondazh i “Monitor”, i zhvilluar vitin e kaluar dhe ku shumica e të anketuarve ishin nga kryeqyteti, tregoi se 70% e përdoruesve të makinave kalojnë më shumë se një orë në trafik çdo ditë. Nga këta, 41% deklaruan se shpenzojnë 1–2 orë në trafik në ditë, ndërsa 29% thanë se qëndrojnë mbi dy orë në automjet pa lëvizur.
Ndërkohë, numri i mjeteve në qarkullim në vend është rritur me ritme të shpejta vitet e fundit. Në vitin 2025 ai e kaloi për herë të parë pragun e 1 milionit, duke arritur në 1,047,427 mjete të regjistruara, ku mbi 80% janë autovetura.
Në raport me popullsinë, Shqipëria ka rreth 443 mjete për 1 mijë banorë. Megjithëse ky tregues është rritur vitet e fundit, ai mbetet ndër më të ulëtit në Europë. Për shembull, vetëm për autoveturat, Shqipëria kishte 328 mjete për 1000 banorë në vitin 2024, ndërsa mesatarja europiane është 578.
Por cilat janë qytetet më të ngarkuara me automjete?
Bashkia me përqendrimin më të lartë të mjeteve rezulton Saranda. Qyteti bregdetar ka rreth 22.6 mijë banorë dhe 16.2 mijë automjete të regjistruara, ose 716 mjete për 1000 banorë. Ky nivel është rreth 61% më i lartë se mesatarja kombëtare. Gjatë verës, trafiku në Sarandë shpesh paralizohet, jo vetëm për shkak të automjeteve të banorëve, por edhe nga fluksi i turistëve dhe infrastruktura me rrugë relativisht të ngushta.
Në vend të dytë renditet Durrësi, me 584 mjete për 1000 banorë, ose rreth 32% më shumë se mesatarja kombëtare. Në këtë qytet trafiku është problematik jo vetëm gjatë sezonit turistik, por gjatë gjithë vitit. Ndërkohë, parkimi mbetet një nga sfidat kryesore urbane, pavarësisht projektit të ri të parkimit të ndërtuar nga bashkia në hyrje të qytetit.
Kurbini renditet i treti, me 557 mjete për 1000 banorë, ndërsa pas tij vjen një tjetër qytet bregdetar, Vlora, me 551 mjete për 1000 banorë.
Tirana renditet në vendin e pestë, me 533 mjete për 1000 banorë, që në praktikë do të thotë se për çdo dy banorë ka një automjet. Në kryeqytet shpesh ndodh që një destinacion të arrihet më shpejt në këmbë sesa me makinë, ndërsa parkimi është kthyer në një tjetër sfidë të përditshme për drejtuesit e automjeteve.
Sipas sondazhit 84% e përdoruesve të makinave deklaruan se përballen vazhdimisht me vështirësi për të gjetur një vend parkimi. Kostot mesatare mujore për parkim kanë kaluar 10 mijë lekë. Madje, në shumë raste edhe blerja e një apartamenti konsiderohet e paplotë nëse nuk përfshin një vend parkimi. Çmimi i një garazhi në kryeqytet mund të arrijë deri në 60–80 mijë euro, një shumë që dikur mjaftonte për të blerë një shtëpi të madhe.
Në krahun tjetër, bashkitë e mëdha me përqendrimin më të ulët të mjeteve për banorë janë Berati, Dibra, Përmeti dhe Pogradeci, me më pak se 300 mjete për 1000 banorë.