SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PS shqyrton sot raportin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.03.2026, 08:33

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet sot për të shqyrtuar raportin e pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për autorizimin e arrestimit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ndërsa Taulant Balla ka kërkuar praninë e të gjithë deputetëve në mbledhje, ku pritet të jetë edhe vetë Balluku.

Në takim pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa mbetet e paqartë nëse ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë fjalën. Socialistët kanë lënë të kuptohet se, pas largimit të saj nga detyra për shkak të masës së pezullimit të vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nuk shohin arsye për dhënien e autorizimit për arrestim.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në seancën plenare të 12 marsit. Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka publikuar raportin e saj duke mbështetur kërkesën e SPAK. Balluku është marrë e pandehur për çështjen e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim edhe për shtatë lote të Unazës së Madhe, ku akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit