Milani mposht Interin dhe hap sërish garën për titullin në Serie A

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.03.2026, 23:04

Gara për titullin në Serie A është rihapur pas fitores minimale 1-0 të Milanit ndaj Interit në 'Derby della Madonnina'. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Pervis Estupiñán, duke i dhënë kuqezinjve një fitore të rëndësishme ndaj rivalëve të qytetit.

Kjo është hera e parë që Milani fiton të dy derbit e sezonit në kampionat kundër Interit që nga sezoni 2010/2011.

Ndeshja nisi me një rast të artë për Milanin që në minutat e para, kur Yann Sommer humbi topin përballë Christian Pulisic, i cili pasoi për Luka Modric, por goditja e kroatit nga distanca kaloi shumë pranë shtyllës.

Interi pati pak raste të rrezikshme në pjesën e parë, me Federico Dimarco që provoi dy herë nga distanca, ndërsa Henrikh Mkhitaryan realizoi një depërtim të bukur në zonë, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri Mike Maignan.

Momenti vendimtar erdhi pak më pas, kur Youssouf Fofana dha një pasim të saktë në zonë për Estupiñán, i cili goditi fort dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Milanin në avantazh.

Në pjesën e dytë Interi shtoi presionin në kërkim të barazimit. Piotr Zielinski detyroi Maignan të bëjë një pritje të vështirë, ndërsa Dimarco humbi një rast të artë nga afër duke e dërguar topin mbi portë.

Nga ana tjetër, Milani kërkoi golin e dytë me Rafael Leão dhe Fofana, por Sommer arriti të shpëtojë portën në disa raste.

Në minutat e fundit Interi provoi të barazojë dhe kërkoi edhe dy penallti, por arbitri vendosi të vazhdojë lojën.

Pas kësaj fitoreje diferenca mes dy skuadrave në krye të renditjes është ngushtuar në 7 pikë, me 10 javë të mbetura deri në fund të sezonit, duke e mbajtur ende të hapur garën për titull në Serie A.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit