Një tjetër ushtar amerikan ka humbur jetën pas plagëve të marra gjatë një sulmi të ndodhur javën e kaluar në Arabinë Saudite, duke e çuar në shtatë numrin e efektivëve amerikanë të vrarë në konfliktin me Iranin.
Lajmi u konfirmua nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM), e cila njoftoi se ushtari ndërroi jetë nga plagët e rënda të marra gjatë sulmeve fillestare që, sipas Uashingtonit, u kryen nga regjimi iranian në disa zona të Lindjes së Mesme.
“Një pjesëtar i ushtrisë amerikane ndërroi jetë nga plagët e marra gjatë sulmit ndaj trupave amerikane në Mbretërinë e Arabisë Saudite më 1 mars”, thuhet në njoftimin e CENTCOM.
Emri i ushtarit nuk është bërë ende publik, pasi autoritetet amerikane ndjekin procedurën e zakonshme për të njoftuar fillimisht familjen.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi në Bazën Ajrore Dover në Delaware u zhvillua ceremonia e kthimit në atdhe të gjashtë ushtarëve amerikanë që u vranë javën e kaluar në Kuvajt. Ata humbën jetën pas një sulmi të papritur ndaj një qendre operative të përkohshme në portin civil të Shuaiba, më 1 mars.
Të gjashtë ushtarët i përkisnin njësisë 103rd Sustainment Command, një njësi rezervë e ushtrisë amerikane me bazë në Iowa.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili mori pjesë në ceremoninë përkujtimore së bashku me familjarët e ushtarëve, deklaroi se takimi me prindërit e viktimave nuk e ka bërë të tërhiqet nga lufta.
“Sikur të ndalesha, prindërit do të ishin të zhgënjyer. Ata më thanë: ‘Të lutem zotëri, fitoje këtë luftë për djalin tim’,” tha Trump në një intervistë për ABC.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar më herët se mund të ketë edhe viktima të tjera amerikane, duke theksuar se humbjet janë një realitet i pashmangshëm në kohë lufte.