Situata në repartin ofensiv të Kombëtares shqiptare është bërë shqetësuese për trajnerin Sylvinho, vetëm pak javë përpara ndeshjeve të rëndësishme të “play-off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës.
Tekniku brazilian pritet të bëjë ndryshime të detyruara në sulm, pasi dy nga emrat kryesorë të këtij reparti janë jashtë për shkak dëmtimi. Armando Broja vijon të jetë i dëmtuar dhe ende nuk është rikthyer në stërvitje, ndërsa probleme serioze fizike ka edhe Mirlind Daku.
Sulmuesi i FC Rubin Kazan ka pësuar një dëmtim në tendinë dhe rrezikon të mbetet jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Situatën e tij e ka konfirmuar edhe trajneri i ri i skuadrës ruse, Frank Artiga, gjatë prezantimit të tij para mediave.
Artiga theksoi se Daku nuk do të rikthehet në fushë pa qenë plotësisht i rikuperuar, pasi çdo rrezik për përsëritje të dëmtimit mund të ketë pasoja shumë të rënda për karrierën e lojtarit.
“Kur erdha këtu, prisja me padurim të punoja me Dakun, por tani ai është i dëmtuar dhe kjo është një humbje e madhe për ekipin. Skuadra është ndërtuar rreth tij dhe është shumë e vështirë të gjesh një lojtar me cilësitë e tij. Një dëmtim në tendinë është shumë specifik dhe nëse përsëritet, lojtari mund të qëndrojë jashtë për një kohë të gjatë. Për këtë arsye nuk duam të rrezikojmë. Po monitorojmë rikuperimin e tij derisa të jetë 100% gati”, u shpreh trajneri spanjoll.
Sipas tij, ekzistojnë vetëm disa afate të përafërta për rikthimin e sulmuesit, por ende nuk ka një datë të saktë. Kjo e bën shumë të vështirë që Daku të jetë gati në kohë për sfidat e rëndësishme të Kombëtares, duke e vendosur stafin teknik përpara një situate të komplikuar në repartin ofensiv.