Një grup korrierësh që punojnë për platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt kanë dalë në protestë në Tiranë, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe duke denoncuar uljen e tarifave të pagesës.
Në videot e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, korrierët shihen teksa marshojnë me motorët e tyre në rrugët e kryeqytetit, duke rënë vazhdimisht borive në shenjë proteste.
Sipas mesazheve të dërguara në redaksi nga disa prej tyre, korrierët pretendojnë se kompania u ka ulur tarifat për kilometër dhe se shumë prej tyre po përballen me presion dhe kërcënime për largim nga puna.
Ata shprehen gjithashtu se disa punonjës janë hequr nga puna pasi është marrë vesh se do të merrnin pjesë në protestë, ndërsa të tjerë, sipas tyre, janë paralajmëruar që të mos dalin kundër kompanisë.
Një tjetër shqetësim që ngritin protestuesit lidhet me pretendimin se kompania po përpiqet të zëvendësojë një pjesë të korrierëve aktualë me punonjës të huaj, të cilët sipas tyre mund të paguhen me tarifa më të ulëta.
Korrierët theksojnë se protestën e kanë organizuar për të kërkuar pagesa më të drejta për kilometër dhe për të kundërshtuar, sipas tyre, presionin dhe kërcënimet që pretendojnë se po përballen nga menaxherët lokalë të kompanisë.