Seanca e fundit në Kuvend, ku Belinda Balluku u shkarkua nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës me 85 vota, prodhoi një skenë politike sa ironike, aq edhe treguese për moralin e pushtetit. Socialistë e demokratë u bënë bashkë në numra për të larguar “ish-numrin dy” të qeverisë, kush nga bindja e kush nga disiplina e imponuar prej Edi Ramës.
Në këtë proces, ajo që ra më shumë në sy ishte sjellja e deputetëve të qarkut Fier—zonë ku Balluku kishte ndërtuar influencën e saj më të madhe dhe ku kishte promovuar emra që dikur ishin në anonimitet.
Pavarësisht se shumë prej këtyre deputetëve i detyroheshin karrierën, postet si drejtorë dhe përfshirjen në lista Belinda Ballukut, në sallën e Kuvendit nuk pati vend për nostalgji. Vëzhguesit vunë re se asnjë prej tyre nuk hezitoi, madje as për etikë.
Zeqineja në ballë të votimit: Bie në sy rasti i deputetes Zeqine, e cila raportohet se ishte ndër më të shpejtat që shtypi butonin "pro" shkarkimit. Një reagim refleks që vërtetoi se besnikëria ndaj pushtetit aktual vlen më shumë se çdo manual mirënjohjeje politike.
Në këtë panoramë ku të gjithë nxituan të distancoheshin, i vetmi që zgjodhi një rrugë tjetër ishte deputeti Erjo Mile. Ai ishte i vetmi emër që mungoi në votim, duke mos dhënë as votë pro dhe as kundër.
Mile, i njohur për postimet e tij entuziaste si “Malet mbeten male” kur Balluku u mor e pandehur nga SPAK, apo përshkrimet në anglisht “She is a winner”, këtë herë zgjodhi heshtjen. Ky qëndrim u interpretua si një përpjekje e qetë për të mos e tradhtuar plotësisht ish-shefen e tij, por pa marrë guximin të votonte kundër vullnetit të Edi Ramës.
Në një sallë ku shumica vendosi se "mali" duhej të lëvizte, Mile thjesht preferoi të mos ishte pjesë e llogarisë, duke mbetur kështu i fundit prej "besnikëve" që nuk e ngriti kartonin e shkarkimit.