Në vendin e quajtur “Arrat e Rrugës”, aty ku aksi Librazhd-Prrenjas mbeti i paralizuar për 11 ditë rresht, sot nuk kanë zbritur vetëm makineritë, por një ushtri e vërtetë me zyrtarë. Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore prej rreth 300 metrash, i shoqëruar nga një autokolonë makinash luksoze që, siç shihet edhe nga pamjet, ia kalojnë për nga numri edhe mjeteve të rënda që duhet të ishin në kantier.
Për të parë një segment të shkurtër e të paasfaltuar, Kryeministri nuk ishte vetëm. Ai shoqërohej nga një delegacion i gjerë: ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, ministri Ervin Demo, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli, drejtuesi politik Arbjan Mazniku dhe kryebashkiaku Gledian Llatja. Siç dëshmohet nga fotoja e mbërritur në redaksi, numri i mjeteve "Off-road" të zyrtarëve që zunë rrugën ishte dukshëm më i madh se ai i mjeteve të punës, duke krijuar përshtypjen se po vizitohej një samit e jo një rrugë e shembur.
Ndërsa specialistët tentuan të shpjegonin se shembja erdhi nga "pellgjet nënujore" të zbuluara me sonda, Rama e cilësoi debatin publik për bllokimin 11-ditor si një "perversitet shumë të madh". Sipas tij, kjo nuk është pasojë e punimeve të Korridorit VIII, por një fatkeqësi thjesht natyrore që ka "helmuar" opinionin publik.
"Një plagë e kësaj natyre... kthehet në burim helmimi të vazhdueshëm. Këtu s'ka dorë njeriu që ta ketë shkaktuar," u shpreh ai, duke kërkuar ndjesë që njerëzit u "mbytën me baltë e llum" nga zhurma mediatike.
Segmenti provizor: Vetëm 200-300 metra rrugë e paasfaltuar që funksionon me sinjalistikë kantieri.
Koha e izolimit: Juglindja mbeti e bllokuar nga pjesa tjetër e vendit për plot 11 ditë.
Afati i radhës: Duhen minimalisht 2 muaj që të ndërtohet një rrugë alternative prej 1.3 km.
Gjendja aktuale: Rruga do të shtrohet me asfalt vetëm kur të arrihet stabiliteti i tokës, që do të thotë se qytetarët do të vijojnë të qarkullojnë në pluhur.
Duket se strategjia e inspektimit në këtë aks ishte e qartë: nëse rruga është e shkurtër dhe e paasfaltuar, duhet të jetë e gjatë autokolona e makinave shoqëruese që kantieri të duket i rëndësishëm.