Nga certifikata për “Shërbime të Dalluara” te prangat e SPAK: Kush është shefi i policisë që u bë palë me Inez Hajrullën

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.03.2026, 18:46

Një goditje e fortë për besueshmërinë e Policisë së Shtetit ka ardhur nga hetimet e fundit të SPAK, ku emri i një zyrtari të lartë është renditur krah eksponentëve më të rrezikshëm të krimit në Vlorë. Rezart Kuçi, i cili mbante detyrën e rëndësishme si Shef Seksioni në Policinë Shkencore të Kukësit, u arrestua nën akuza të rënda që e lidhin atë drejtpërdrejt me grupin e strukturuar kriminal të Inez Hajrullës.

Ajo që e bën këtë arrestim tronditës është kontrasti i thellë mes figurës zyrtare dhe asaj që ka zbuluar hetimi i Prokurorisë së Posaçme. Vetëm një vit më parë, Kuçi u shfaq në ceremonitë zyrtare duke u nderuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me certifikatë për "Shërbime të Dalluara". Ky vlerësim, i cili supozohet të jepet për integritet dhe kontribut të lartë në detyrë, rezulton sot të ketë qenë vetëm një maskë pas së cilës fshihej bashkëpunimi i ngushtë me "të fortët" e Vlorës.

Struktura e Posaçme ka ngritur ndaj Kuçit tre akuza kryesore: shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarje në grup të strukturuar kriminal. Sipas dosjes hetimore, zyrtari i policisë dyshohet se ka përdorur pozicionin e tij dhe njohuritë profesionale për t'i shërbyer celulës së Hajrullës. Ky grup konsiderohet përgjegjës për të paktën dy vrasje të porositura (Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj) dhe disa episode të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Roli i Kuçit si shef në Policinë Shkencore shton një dimension edhe më shqetësues në këtë dosje. Si ekspert i fushës, ai ka pasur akses në prova dhe informacione sensitive, të cilat mund t'i kenë shërbyer bandës për të eliminuar gjurmët në ngjarje kriminale. Ndërsa policia e vlerësonte me tituj nderi, SPAK beson se ai ishte një hallkë kyçe e logjistikës kriminale të Inez Hajrullës, duke treguar se korrupsioni mund të fshihet edhe pas certifikatave të mirënjohjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit