Grupi i drejtuar nga Inez Hajrulla akuzohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për përfshirje në dy ekzekutime të ndodhura në Vlorë gjatë vitit 2021: vrasjen e Gentjan Qarri më 6 shkurt dhe të Bledar Birçaj më 10 maj të po atij viti.
Sipas hetimeve të SPAK, Hajrulla së bashku me krahun e tij të djathtë, Ervis Matodoshaj, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, kanë organizuar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët për realizimin e atentatit ndaj Qarrit. Ky i fundit, i njohur ndryshe si “Gecja”, u qëllua për vdekje në mes të ditës në Vlorë, teksa po lëvizte në këmbë. Në drejtim të tij u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Edhe pse autorët e drejtpërdrejtë të kësaj vrasjeje nuk janë identifikuar ende, SPAK thekson se grupi i Hajrullës ka ndihmuar në fshehjen e tyre dhe në zhdukjen e provave, përfshirë edhe djegien e automjetit të përdorur për largimin nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimeve, Hajrulla dhe Matodoshaj, të dy ende në kërkim, kanë dhënë udhëzime për monitorimin e viktimës, sigurimin e mjeteve dhe organizimin e atentatit, si dhe për largimin e autorëve pas krimit.
Në të njëjtën dosje përfshihet edhe vrasja e Bledar Birçaj më 10 maj 2021, një ngjarje që për një kohë të gjatë mbeti pa autor. SPAK dyshon se shkaku i eliminimit lidhet me konflikte për pazare droge. Birçaj ishte kthyer në Shqipëri vetëm një muaj më parë nga Spanjë.
Hetimet tregojnë se grupi i Hajrullës e kishte vendosur Birçajn nën vëzhgim të vazhdueshëm. Madje, sipas SPAK, ishin përdorur edhe kamera survejimi për të monitoruar lokalin në pronësi të tij, “The Boss”. Përmes tyre, anëtarët e grupit kanë ndjekur për një kohë të gjatë lëvizjet, oraret dhe personat me të cilët ai shoqërohej, derisa më 10 maj 2021 u vu në zbatim plani për eliminimin e tij.
Në momentin kur u qëllua në pritë, Birçaj ndodhej në makinë së bashku me një 20-vjeçar dhe me efektivin e policisë së antidrogës, Granit Deromema. Atentati ndodhi në mes të qytetit, duke tronditur opinionin publik dhe duke rikthyer vëmendjen te përplasjet e grupeve kriminale në Vlorë.