Pronarët e faqes më të madhe pornografike në botë, Pornhub, kanë nisur të bllokojnë përdoruesit në Australi, në shenjë proteste ndaj ligjeve të reja që detyrojnë verifikimin e moshës për përmbajtje për të rritur.
Kompania kanadeze Aylo, e cila operon disa nga faqet më të mëdha pornografike në botë si Pornhub, RedTube, YouPorn dhe Tube8, ka vendosur kufizime për përdoruesit australianë pas miratimit të rregullave të reja nga parlamenti i vendit.
Ligji i ri, që hyn në fuqi më 9 mars, kërkon që faqet që publikojnë materiale për të rritur të zbatojnë masa të rrepta sigurie për verifikimin e moshës. Këto përfshijnë metoda si identifikimi me foto, portofola digjitalë apo teknologji për vlerësimin e moshës përmes fytyrës.
Masat janë pjesë e fazës së dytë të “Online Safety Codes”, të vendosura nga Komisioneri për Sigurinë Online në Australi, për të kufizuar aksesin e të miturve në materiale të papërshtatshme.
Moszbatimi i rregullave mund të sjellë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë për çdo shkelje.
Ndërsa Pornhub mbetet ende i aksesueshëm në disa raste, platforma të tjera në pronësi të Aylo, si RedTube, kanë njoftuar se aktualisht nuk po pranojnë regjistrime të reja nga përdoruesit në Australi.