Në protestë kundër resortit të Ulajt, banorëve të Rrjollit u bashkohen mbështetës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.03.2026, 17:14

Prej 37 ditësh, banorët e zonës së Rrjollit vijojnë protestën e tyre kundër asaj që e cilësojnë si grabitje të tokave nga kompania e biznesmenit Bashkim Ulaj. Edhe këtë të shtunë, në ditën e 37-të të rezistencës, ata janë mbledhur sërish në zonë për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të një resorti turistik, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve dhe respektimin e pronës së tyre.

Protestës së banorëve këtë herë i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, aktivistë dhe mbështetës që kanë ardhur për të shprehur solidaritet me komunitetin lokal. Ata kanë deklaruar se kjo çështje nuk lidhet vetëm me një konflikt pronësie, por me një problem më të gjerë që prek të drejtën e qytetarëve për tokën e tyre dhe mënyrën se si projekte të mëdha zhvillimi po imponohen mbi komunitetet lokale.

Banorët e Rrjollit shprehen se do ta vazhdojnë protestën deri në ndalimin e punimeve dhe në zbardhjen e plotë të situatës ligjore të pronave. Sipas tyre, përballë interesave të mëdha ekonomike, ata ndihen të braktisur nga institucionet, ndërsa e vetmja rrugë që u ka mbetur është rezistenca e përditshme në terren për të mbrojtur tokën që thonë se e kanë trashëguar prej brezash.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit