Detaje të reja kanë dalë në lidhje me Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, të cilët i shpëtuan operacionit të zhvilluar nga SPAK në Orikum, ku u lëshuan disa urdhër-arreste për ngjarje kriminale dhe trafik droge. Inez Hajrulla, i njohur si “i forti i Vlorës”, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe deri më tani ka shpëtuar të paktën tre atentate, në vitet 2017, 2019 dhe 2023, ku në dy rastet e fundit ishte në shoqërinë e mikut të tij Ervis Matodashaj.
Në vitin 2017 ndaj Hajrullës u organizua një atentat me tritol në një lokal në Vlorë, i njohur si vend që frekuentohej nga Edison Harizaj, i vrarë në Durrës në vitin 2018. Ndërsa në vitin 2019, Hajrulla dhe Matodashaj u qëlluan me breshëri plumbash te zona e njohur si “7 Pallatet Oslo”, që konsiderohet baza e tyre. Nga të shtënat mbeti i plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ndodhej në lokal duke pirë kafe. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe më pas dogjën automjetin në Babicë të Vogël. Për këtë atentat dyshohet se morën pjesë nëntë persona dhe vijon të jetë në kërkim Fatmir Hyseni, i dyshuar edhe për vrasjen e Santiago Malkos.
Një tjetër atentat i dyshuar ndaj tyre u parandalua në gusht të vitit 2023, kur në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë u arrestua Amarildo Nikolli me pistoletë me silenciator dhe municion luftarak. Hetimet zbuluan se objektiv i atentatit ishin Hajrulla dhe Matodashaj, ndërsa porositësi ishte Leonard Luzi, i ekstraduar nga Spanja në korrik 2024 dhe i dënuar përfundimisht me 7.4 vite burg. Për këtë plan u dënuan gjithashtu Amarildo Nikolli me 2.9 vite burg dhe Muharrem Koroveshi me 6.8 vite burg, ndërsa Erio Zejno vijon të jetë në kërkim. Hajrulla ka pasur më herët probleme me drejtësinë, duke u arrestuar dy herë për armëmbajtje pa leje dhe duke u hetuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013, si dhe për zhdukjen e Elvis Troqes. Në vitin 2018 ai u dënua nga Gjykata e Vlorës me 2 vite burg për “mosbindje ndaj policisë” dhe “armëmbajtje pa leje”, dënim që u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.