Shpërthim pranë aeroportit të Dubait, pezullohen të gjitha fluturimet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.03.2026, 10:26

Aeroporti i Dubait, më i ngarkuari në botë për trafikun ndërkombëtar, ka pezulluar operacionet ditën e sotme pas një interceptimi ajror në zonë gjatë sulmeve nga Irani.

Për sigurinë e pasagjerëve, stafit të aeroportit dhe ekuipazheve të linjave ajrore, operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait (DXB) janë pezulluar përkohësisht,” njoftoi Zyra e Medias e qeverisë së Dubait në një postim në rrjetet sociale.

Njoftimi erdhi menjëherë pasi një objekt u interceptua në ajër pranë aeroportit. Një dëshmitar i tha AFP-së se dëgjoi një shpërthim të fortë, i ndjekur nga një re tymi.

Fluturimet nga aeroporti kryesor i Dubait kishin rifilluar pjesërisht të hënën, pavarësisht sulmeve të përditshme me dronë që kishin në shënjestër zona në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kompania ajrore Emirates, më e madhja në Lindjen e Mesme, njoftoi gjithashtu të shtunën se po pezullonte të gjitha fluturimet drejt dhe nga Dubai deri në një njoftim të dytë.

“Ju lutemi mos shkoni në aeroport,” thuhej në njoftimin e kompanisë.

Qeveria e Dubait deklaroi në një postim se kishte pasur “një incident të vogël si rezultat i rënies së mbetjeve pas një interceptimi”, i cili nuk shkaktoi të lënduar.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se mbrojtja ajrore e vendit “po i përgjigjet aktualisht kërcënimeve me raketa dhe dronë që vijnë nga Irani”, pa specifikuar objektivat e sulmeve.

Të shtunën e kaluar, katër punonjës u plagosën dhe një terminal u dëmtua në aeroportin e Dubait, ndërsa luftimet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit