Sot, më 7 Mars, në të gjithë Shqipërinë festohet Dita e Mësuesit, një nga datat më të rëndësishme për arsimin dhe për ata që formojnë brezat e rinj. Kjo ditë lidhet me një moment historik për kombin shqiptar, më 7 mars 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, shkolla e parë në gjuhën shqipe, ku dha mësim patrioti Pandeli Sotiri. Që prej asaj kohe kjo datë simbolizon sakrificën dhe përkushtimin e mësuesve në ruajtjen e gjuhës, dijes dhe identitetit kombëtar.
Sot shkollat mbushen me lule, kartolina dhe përqafime, ndërsa nxënësit kujtojnë me mirënjohje mësuesit që i kanë udhëhequr në rrugën e dijes. Megjithatë, ndër vite mënyra e festimit ka ndryshuar. Dikur kjo festë simbolizohej nga një tufë lulesh dhe një urim i sinqertë, ndërsa sot në shumë raste është shndërruar edhe në një garë dhuratash, duke krijuar shpesh një barrë të panevojshme për disa familje. Pavarësisht kësaj, thelbi i kësaj dite mbetet respekti dhe falënderimi për figurën e mësuesit.
Data 7 mars u shpall zyrtarisht si Dita e Mësuesit në vitin 1960 me vendim të Presidiumi i Kuvendit Popullor, të firmosur nga kryetari Haxhi Lleshi. Sot kjo ditë është një moment reflektimi për rolin e jashtëzakonshëm të mësuesve në shoqëri. Urime dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit që çdo ditë, me përkushtim dhe durim, formojnë brezat e së ardhmes dhe mbajnë gjallë dritën e dijes.
Pamjet lart nga filmi shqiptar "Një vonesë e vogël", pamjet poshtë realiteti sot!