Tensionet në Gjirin Persik kanë arritur një pikë kritike. Irani ka lëshuar një paralajmërim të prerë drejtuar vendeve europiane, duke i bërë thirrje që të mos rreshtohen krah Uashingtonit dhe Tel Avivit në konfliktin e hapur që ka shpërthyer ditët e fundit.
Në një intervistë për medien prestigjioze France 24, Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, deklaroi se Teherani i ka informuar tashmë zyrtarisht kancelaritë europiane për pasojat e përfshirjes në këtë luftë.
"Ata duhet të jenë të kujdesshëm që të mos përfshihen në këtë luftë agresioni kundër Iranit. Nëse ndonjë vend i bashkohet Amerikës dhe Izraelit, ata do të konsiderohen objektiva legjitimë për hakmarrjen tonë," u shpreh Takht-Ravanchi.
Zyrtari i lartë iranian hodhi akuza të rënda ndaj SHBA-së, duke pretenduar se Irani kishte negociuar me "mirëbesim" gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Gjenevë të enjten e kaluar. Sipas tij, bisedimet ishin një sukses, por gjithçka u përmbys të shtunën kur qeveria amerikane, me mbështetjen e Izraelit, nisi sulmet kundër territorit iranian.
Përveç kërcënimeve ndaj Europës, Takht-Ravanchi konfirmoi se ushtria iraniane po godet grupet kurde brenda territorit të Irakut. Ky veprim vjen pas raporteve të inteligjencës se CIA dhe Mossadi po armatosin këto grupe për të destabilizuar Iranin nga brenda.
"Nëse ka nevojë për të mbrojtur sovranitetin tonë, patjetër që do ta bëjmë," përfundoi ai, duke bërë të qartë se Irani nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e kufijve të tij.