Sot i dorëzuam trofeun “Heroi i Muajit Shkurt” burrneshës së Rrjollit, Luçiana Kokaj, e cila u doli para fadromave të Bashkim Ulajt i cili po grabit tokat e banorëve të Rrjollit.
Përmes votës së shqiptarëve, ajo u vlerësua për qëndresën dhe angazhimin e saj në mbrojtje të tokave të trashëguara të banorëve të zonës. Gjatë intervistës, Kokaj falënderoi shqiptarët për mbështetjen dhe për vlerësimin që i është bërë nga publiku.
Në deklaratën e saj, ajo tha se banorët ndihen në përplasje me shtetin dhe se sipas saj po përballen me tentativa për t’u marrë tokat. Kokaj deklaroi se banorët i kanë kërkuar investitorit Bashkim Ulaj që të ulet dhe të diskutojë drejtpërdrejt me ta dhe mos të mbështet në dokumente që sipas saj janë të falsifikuara nga Fatmir Shpllezaj. Ajo shtoi se banorët kanë kërkuar ose dialog me Ulajn, ose të pritet vendimi i drejtësisë për këtë çështje.
Burrnesha e Rrjollit theksoi gjithashtu se në zonë ka më shumë prani policore për të mbrojtur ndërtimin e një resorti luksoz sesa banorët që protestojnë për tokën e tyre. Ajo u shpreh se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por kërkojnë që të respektohen të drejtat e pronarëve autoktonë dhe të gjendet një zgjidhje përmes dialogut. Sipas saj, nëse drejtësia flet, kjo çështje mund të marrë një zgjidhje të drejtë për të gjitha palët.