Balluku: S’kam lidhje me korrupsionin, gjyqin ma mban kurrizi, Rama lider i madh

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.03.2026, 14:47

Ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, deklaroi këtë të premte se nuk ka pasur kurrë lidhje me korrupsionin. Gjatë një konference për mediat ku dorëzoi detyrën te Enea Karakaçi, i emëruar në krye të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Balluku u shpreh se nuk e ka penguar kurrë drejtësinë dhe se hetimet mund të vijojnë normalisht. “Unë nuk kam pasur lidhje kurrë me korrupsionin. Hetimi të vijojë, unë nuk e kam penguar kurrë. Nuk do të përmend kurrë prokurorë dhe gjyqtarë. Unë s'kam as 300 as 30 apartamente”, tha ajo.

Megjithatë, ndryshe nga deklaratat e saj, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza konkrete ndaj ish-ministres për shkelje të barazisë në tendera, duke e lidhur hetimin me procedurat për Tunelin e Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe. Madje, SPAK ka kërkuar edhe arrestimin e saj, duke argumentuar se lënia e lirë mund të rrezikojë prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve. Me pak fjalë, ndërsa Balluku flet për pafajësi, dosja e prokurorëve duket se tregon një histori pak më ndryshe.

Në fjalën e saj të lamtumirës, Balluku nuk harroi të falënderonte ekipin dhe të theksonte se ka qenë “me fat” që ka punuar për realizimin e vizionit të një “lideri të madh siç është Edi Rama”. Një deklaratë që për shumëkënd tingëllon më shumë si një përshëndetje politike sesa si reflektim pas një akuze të rëndë nga SPAK. Sepse kur drejtësia troket në derë për tendera miliardash, ndoshta problemi nuk është vetëm vizioni i liderit, por edhe mënyra se si është zbatuar ai në praktikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit