Vrasja e Ilaria Sulës, nëna e autorit dënohet me dy vite burg: Djali më kërkoi valixhe për të fshehur trupin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.03.2026, 13:37

Pas rreth gjashtë orësh seancë dëgjimore në gjykatë, është dhënë vendimi për Nors Manlapaz, nënën e Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij shqiptare, studenten Ilaria Sula. Gjykata e shpalli atë fajtore për komplot të rënduar për fshehjen e kufomës dhe e dënoi me dy vite burg.

Sipas raportimeve, pas përfundimit të seancës ajo kërkoi t’i afrohej për t’i kërkuar falje nënës së viktimës, Gëzime Sula, por kjo e fundit refuzoi. Gjatë dëshmisë së saj, Manlapaz rrëfeu çfarë kishte ndodhur mes datave 24 dhe 26 mars, kur djali i saj kishte qëndruar në apartamentin e prindërve në zonën Via HomsRomë. Ajo tregoi edhe për marrëdhënien e djalit me Ilarian dhe për momentin kur kuptoi se vajza ndodhej në shtëpi.

“I dëgjova duke folur me zë të lartë nga dhoma, duke u grindur. Kështu që shkova të trokita në derë, e shqetësuar. Marku më tha: ‘Mami, po flasim vetëm.’ Pak më vonë, dëgjova Ilarinë në dhomë duke bërtitur dhe duke thënë: ‘Çfarë do të bësh tani?’ U përpoqa të hyja brenda, por ai më tha dy herë: ‘Mami, prit.’”, deklaroi ajo.

Sipas dëshmisë së saj, kur arriti të shihte brenda dhomës, kishte gjak në dysheme pranë kokës së vajzës. “Mbaj mend që pashë shumë gjak në dysheme, rreth kokës së Ilarias. Marku më çoi në dhomën time dhe më pyeti: ‘Mami, a kemi ndonjë valixhe?’ Pastaj më tha të shkoja të blija çanta dhe detergjent. Ai përdori peshqirë letre për të pastruar gjakun dhe unë i dhashë disa rroba të vjetra. I thashë: ‘Hiq pjesën më të madhe të gjakut’”, rrëfeu ajo në gjykatë.

Gruaja tregoi gjithashtu se pasi djali u largua nga shtëpia, ajo vazhdoi të pastronte dhomën. “Kur Marku doli nga shtëpia, pastrova dhomën e tij; kishte shumë gjak në dysheme. Mora çantën e shpinës së Ilarisë me rrobat e saj brenda dhe i hodhi të gjitha. Pastaj zbraza koshin e plehrave të Markut; brenda kishte prezervativë”, tha ajo. “Më vjen shumë keq për dashurinë e Ilarisë, por u frikësova dhe mendova për djalin tim të pari”, shtoi Manlapaz.

Nga ana tjetër, prindërit e viktimës, Flamur Sula dhe Gëzime Sula, reaguan ashpër ndaj dëshmisë së saj. “Pse nuk ndërhytët kur dëgjuat Ilarinë duke bërtitur nga dhoma e Markut? Pse nuk thirrët policinë kur djali i saj hapi derën dhe ajo pa trupin e Ilarisë? Ndoshta ajo ishte ende gjallë. Por në vend të kësaj, ajo nuk e ndaloi në atë”, u shprehën ata.

“Të vijmë në gjykatë është një plagë dhe për ne. Nuk e kemi parë Ilarinë nga një vit, nuk ka justifikime për diçka të tillë”, shtuan prindërit e studentes shqiptare.

Ndërkohë, prokurorët e Romë, të koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, kanë ngritur ndaj Mark Samson akuzën për vrasje me dashje me rrethanë rënduese të paramendimit.

Sipas hetimeve, ai e goditi ish-të dashurën e tij me thikë tre herë në qafë, më pas e futi trupin në një valixhe dhe e hodhi nga një shkëmb në zonën e Capranica Prenestina. Gjyqi ndaj tij do të vazhdojë më 17 mars, kur pritet edhe dëshmia e të pandehurit në sallën e gjyqit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit