Ndërsa Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i deklaruar i integrimit për Shqipëria, realiteti me të cilin përballen bizneset në terren duket shumë larg standardeve europiane. Një nga problemet më të mëdha që po has sot sipërmarrja është mungesa e përgjigjeve nga administrata tatimore, një situatë që po krijon pasiguri juridike dhe kosto reale për ekonominë.
Prej kohësh, shoqata të ndryshme biznesi kanë depozituar kërkesa për interpretim dhe sqarim të legjislacionit fiskal pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Megjithatë, struktura që duhet të japë përgjigje, Drejtoria Teknike dhe Ligjore e Tatimeve, sipas sipërmarrësve është kthyer në një hallkë bllokuese, duke mos kthyer përgjigje për periudha të gjata kohore. Edhe publikimet zyrtare duket se e konfirmojnë këtë realitet: buletini i fundit i kësaj drejtorie rezulton i vitit 2021, ndërsa në seksionin “E drejta e informimit” në faqen zyrtare, regjistri i fundit i kërkesave mban po të njëjtën datë.
Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: a nuk ka pasur më asnjë tatimpagues që ka kërkuar interpretim në katër vitet e fundit, apo është institucioni që nuk u kthen përgjigje qytetarëve dhe bizneseve? Në një kohë kur siguria juridike është kusht themelor për investime dhe zhvillim, heshtja institucionale po shndërrohet në një barrë për sipërmarrjen.
Mungesa e komunikimit nuk është thjesht një problem burokratik. Ajo përbën një ineficencë institucionale që mund të kushtojë miliona. Kur shteti nuk jep sqarime për ligjin që vetë miraton, biznesi mbetet në pasiguri, i ekspozuar ndaj gjobave arbitrare dhe pa mundësi për të planifikuar investimet. Ky model administrate “shurdh-memec” krijon një klimë mosbesimi dhe bie ndesh me parimet bazë të administrimit të mirë.
Për një vend që aspiron integrimin në Bashkimi Evropian, standarde të tilla komunikimi janë të papranueshme. Transparenca dhe llogaridhënia janë parime themelore të administratës moderne, por realiteti në administratën fiskale shqiptare tregon se mentaliteti institucional mbetet ende larg modelit europian. Nëse institucionet nuk arrijnë t’u përgjigjen as shoqatave të organizuara të biznesit, pritshmëritë e një sipërmarrësi të vetëm bëhen edhe më të zbehta.
Kjo klimë pasigurie përbën gjithashtu një sinjal negativ për investitorët e huaj. Kapitali ndërkombëtar kërkon rregulla të qarta dhe institucione funksionale. Kur administrata nuk komunikon dhe nuk jep interpretim të ligjit, Shqipëria rrezikon të perceptohet si një treg i pasigurt dhe i vështirë për të bërë biznes.
Në këtë kontekst, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të dalë nga izolimi institucional dhe të përmbushë detyrimin e saj ligjor për transparencë dhe komunikim me taksapaguesit. Biznesi nuk kërkon favore apo privilegje, por diçka shumë më themelore: përgjigje të qarta dhe siguri juridike për të operuar.