Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, duke alarmuar banorët e zonës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:10, në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”, në lagjen “Perash”, pranë një servisi automjetesh. Sipas informacioneve paraprake, gjatë një konflikti dyshohet se një person ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur Genc Hoxhën, 45-vjeç.
Si pasojë e të shtënave, 45-vjeçari ka marrë plagë në këmbë dhe është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht, burimet bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se autori i plagosjes është Izvi Gucia, pronar i servisit pranë të cilit ndodhi ngjarja. Pas incidentit ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për dokumentimin e konfliktit që çoi në përdorimin e armës së zjarrit.