Në një intervistë për media, ish-ministri Sandër Lleshaj na dhuroi një perlë filozofike: nga gjithë zhurma e skandalit “Balluku”, humb Shqipëria. Politikanët flasin, studiot ziejnë, dorëheqjet sillen si fjalë të mëdha, dhe në fund, sipas tij, viktima është populli. Një zbulim tronditës, që me siguri do të hyjë në tekstet e shkencave politike si “Teoria e Zhurmës që Dëmton Kombin”.
Me një qetësi olimpike, Lleshaj shpjegoi se nuk i ka ndjekur me shumë intensitet zhvillimet, por ama e di saktësisht se zgjidhja është “rruga politike” dhe, mbi të gjitha, dorëheqja, të cilën e quajti “mekanizëm i artë”. Një lloj butoni magjik që, sapo shtypet, shuan ngërçin, ul tensionin dhe lan mëkatet politike. Madje, ai theksoi se e ka provuar vetë. Dorëheqjen, sigurisht. Mekanizmin e artë.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se Belinda Balluku ia kishte dorëzuar dorëheqjen tri herë, por nuk i ishte pranuar, Lleshaj u tregua parimor: nëse dorëheqja është me vullnet të lirë, duhet respektuar; nëse është nën presion, nuk quhet dorëheqje. Pra, kemi hyrë në fazën ku dorëheqja duhet të kalojë testin e sinqeritetit filozofik përpara se të vuloset administrativisht.
Në fund, mes “mekanizmave të artë”, “vullneteve të lira” dhe dorëheqjeve që jepen por nuk pranohen, mbetet vetëm një pyetje e thjeshtë: nëse ky është butoni i shpëtimit, pse askush nuk e shtyp dot deri në fund?