Bllokohet depërtimi i përdhunuesit maroken nga kampi në Gjadër, Giorgia Meloni akuza gjyqtarëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.03.2026, 14:33

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër ndaj disa vendimeve të fundit të gjyqtarëve lidhur me ndalimin dhe riatdhesimin e migrantëve, duke theksuar se reforma në drejtësi është thelbësore për Italinë.

Duke folur për mediat italiane, Meloni u ndal te çështja e migracionit dhe kritikoi sistemin gjyqësor pas vendimit për të mos konfirmuar ndalimin e një migranti që ishte dërguar në qendrën e riatdhesimit në Shqipëri.

Kryeministrja përmendi rastin e shtetasit maroken 39-vjeçar, Fathalla Ouardi, i cili sipas saj ka një histori kriminale që përfshin trafik droge, rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe dënime për dhunë seksuale në bashkëpunim dhe përdhunim në grup.

Ai ishte transferuar më 17 shkurt nga qendra në Palazzo San Gervasio, në provincën Potenza, drejt qendrës së riatdhesimit në Gjadër, në Shqipëria, me qëllim deportimin. Megjithatë, sipas Melonit, Gjykata e Apelit e Romës nuk e konfirmoi ndalimin pasi migranti paraqiti kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

“Një person që ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Itali, është përfshirë në trafik droge dhe ka marrë pjesë në përdhunim në grup, sipas këtij vendimi nuk mund të mbahet i ndaluar, nuk mund të dërgohet në Shqipëri dhe as të riatdhesohet”, deklaroi Meloni, duke shtuar se në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje siguria e qytetarëve.

Pavarësisht polemikave, kryeministrja theksoi se projekti për qendrat e migrantëve në Shqipëri do të vazhdojë. Sipas saj, qeveria është e vendosur të ndjekë një politikë më të rreptë ndaj migracionit të parregullt, edhe përmes instrumenteve të reja si qendrat jashtë territorit italian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit