Përshkallëzimi i fundit i konfliktit ka marrë një kthesë të rrezikshme me sulmin ndaj aeroportit të Nakhichevanit në Azerbajxhan, i kryer, sipas autoriteteve, nga dronë iranianë, duke shtuar frikën për një përfshirje më të gjerë rajonale.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi se një dron goditi ndërtesën e terminalit në Republikën Autonome të Nakhichevanit, duke plagosur dy persona, ndërsa një tjetër mjet fluturues pa pilot ra mbi një shkollë në fshatin Shakarabad. Pamjet e publikuara nga zona tregojnë shpërthime dhe shkëndija pranë aeroportit, ndërsa në rrjetet sociale qarkullojnë raportime se objekti u shënjestrua në kulmin e tensioneve që lidhen me luftën në Lindjen e Mesme.
Në momentin e sulmit, mbi 50 avionë ndodheshin në hapësirën ajrore të Azerbajxhanit, megjithatë, sipas të dhënave të fluturimit, ata ishin në distancë nga aeroporti i goditur. Ministria e Jashtme e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar “shkelje të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare” dhe një akt që përshkallëzon tensionet në rajon. Baku zyrtar ka kërkuar sqarime dhe hetim të plotë nga Irani, duke paralajmëruar se rezervon të drejtën për të ndërmarrë kundërmasa të përshtatshme për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla.