Pesë persona janë vënë nën masa sigurie nga autoritetet në Tiranë, pasi dyshohen për përfshirje në një skemë falsifikimi dokumentesh për përfitimin e paligjshëm të një prone në Mëzez. Sipas vendimit të gjykatës, masa “Arrest në burg” është caktuar për Denis Bakalli, 45 vjeç, ndërsa masa “Arrest në shtëpi” për Imer Çelaj, 59 vjeç, të dy të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjykata ka vendosur gjithashtu masën “Pezullim nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi publik” për tre punonjës të Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të identifikuar me inicialet B. S., F. Z. dhe Th. L., të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Denis Bakalli dhe Imer Çelaj dyshohet se kanë kaluar në pronësi të tyre një sipërfaqe toke prej 2350 m² në Mëzez, që i përkiste një shtetasi tjetër, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe në bashkëpunim me punonjësit e kadastrës. Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestron preventive për këtë pasuri, ndërsa materialet i janë referuar Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme.